Wednesday, October 29, 2008

Pamje vjeshte



Shkoi vera
.....Si hije,
Fryn era,
.....Shi bie.

Lart qielli
.....Si plumbi,
Shkoi dielli,
.....Na humbi.

S'ka jetë-
.....Ra brymë,
Bar, fletë
.....Pa frymë.

Rri zogu
.....Te hajë,
Te shtogu
.....Mi majë.

Ka gojë;
.....Do jetën,
Ta rrojë
.....Të shkretën!

Gjahtari
.....Del gjahut;
Druvari
.....Dru krahut.

Del bujku
.....Mbleth berrat;
Te ujku,
.....Nër ferrat!

Larg fshatit
.....tingllime...
Rreth shtratit:
.....Dëfrime!

Asdreni (Alexander Stavre Drenova)

Wednesday, October 22, 2008

Vjeshta

Nga Asdreni...


U zhduk vapa, shkoi vera,
dhe bilbili më s'këndon.
erdhi vjeshta me të tjera,
syri ynë që i shikon.

Teret koha, hapen retë,
ngjyra plumbi përsëri,
duket prapë tjetër jetë,
që natyra ndërron tashti.

Era fryn, fletët bien,
pemët zhvishen si nga mot,
mali, fusha më s'ka hijen,
që e kishin gjer' në sot.




Bukurite janë zhdukur,
shiu e bryma zuri vend,
bari lulet kopshti i bukur,
u ndryshuan në cdo kënd.

Por e mirë është vjeshta,
sepse bujku gjithmon' punon,
për të vjelur sot ka vreshta,
nesër arat po lëron.


Njerëzit në cdo anë,
posa ngrihen në mëngjes,
nëpër fusha cdo gjë kanë,
rendin, mbledhin me kujdes.

Pra me punë gjith' të rrojmë,
se vec puna ne na vlen,
sepse ndryshe s'trashëgojmë,
verën tjetër që po vjen.

Monday, October 20, 2008

Cinxëri dhe milingona



Cinxër' i marrë,
gjithë beharë,
e shkoi duke kënduar,
ndë kopshte të lulëzuar.

Po behari shkoi,
cinxëri pushoi,
dhe zuri të qajë,
se s'kish se ç'të hajë.

Të mos vdesë nga uria
një ditë del nga shtëpia,
dhe miligonës i thotë:
-Zonjë, sot bën shumë ftohtë.

s'kam ç'të ha dhe jam sëmurë,
po nëmë dy kokrra grurë,
ta kthej prapë në korrik.
në më ke gjiton dhe mik

Të të vijë keq për mua.
Po milingona s'ep hua,
se është fort e shtrënguar
— Në behar s'paske punuar,

Thotë zonja milingonë.
— Këndova, për zonë,
beharë të tërë,
ndë fush' e ndë male,
— Fort mirë ke bërë,
tani hidhu valle!

Shqiperoi: Andon Zaku Cajupi

Saturday, October 18, 2008

Mendjemprehtësia


Na rronte njëherë një prijës i ri, që njihej jo vetëm për trimërinë por kryesisht për karakterin e harbuar e tekanjoz. Njëherë thirri më plakun e fshatit të rripte një gur, e pastaj të pregatiste një drekë për të ftuarit e tij.
Plaku,i zënë ngushtë u kthye në shtëpi i vrerosur dhe i tregoi vajzës së tij të vetme për urdhërin e çuditshëm të prijësit. Vajza ishte e re, shumë e bukur por edhe shumë mendjeprehtë.

Ajo e qetësoi të atin dhe i premtoi se do ta ndihmonte. Dhe me të vërtetë, në mëngjes shkoi te babai i saj me një thikë në dorë dhe i tha: ”Jepja këtë thikë prijësit dhe i thuaj ta therë në fillim gurin e pastaj ti mund ta rrjepësh e t’i marrësh lëkurën”.
Plaku veproi tamam ashtu siç e mësoi e bija.



Prijësi, u zemërua dhe i tha:
- Ku ke dëgjuar or plak, që të therret guri? Mos kërkon të tallesh me mua?
Plaku u përkul tërë nderim dhe iu përgjigj:
- Nuk guxoj të të kundërshtoj o prijës, po ku është dëgjuar të rrjepësh lëkurë nga një gur?!

Prijësit i pëlqeu përgjigja dhe kur mori vesh se fjalët e plakut dilnin nga mendja e së bijës, u martua me të.

Vështirë e pati prijësi me gruan e tij të re. Ajo doli më e zgjuar nga i shoqi dhe kjo cënoi keq sedrën e sëmurë të prijësit,aq sa vendosi të ndahet prej saj,megjithëse e donte si më parë.
- Unë po shkoi për gjueti, por ki mendjen:po qe se ti para kthimit tim do të zgjidhësh qoftë edhe një çështje, me mua nuk ke punë më, do të ndahemi njëherë e mirë.

Kaloi një ditë, dy, apo më tepër dhe te fqinjët erdhi një mik. Natën pela e mikut polli një mëz. Në mëngjez miku, kur mori vesh lajmin u gëzua shumë, por të zotët e shtëpisë filluan të ngulnin këmbë se mëzin e polli qerrja ku ishte lidhur pela.
Filluan të grindëshin dhe për të sheshuar problemin vendosën të ftojnë gruan e prijësit.

Dhe kjo erdhi, por me mjaft vonesë. Ajo kërkoi ndjesë për vonesën duke u shfajësuar se rrugës, duke ardhur, pa përroin që kishte marrë zjarr dhe e shojti duke i hedhur fletë të thata. Të gjithë u habitën. Edhe miku edhe të zotët e shtëpisë.
- Zjarrin e shuajnë me ujë e jo me fletë të thata, e pastaj, ku është dëgjuar që të digjet uji?!- thanë ata.
Gruaja e prijësit qeshi nën buzë dhe u përgjigj:
- Po që se e keni të qartë se kjo nuk ndodhë, si nuk mund të kuptoni se qerrja s’mund të pjellë mëza?
Në këtë mënyrë u zgjidh edhe grindja në dobi të mikut.

Kur u kthye nga gjuetia, prijësi mori vesh që gruaja e tij e kishte shkelur porosinë që i kishte dhënë. Ai u gëzua dhe i propozoi gruas të marrë me vete gjithçka dhe çfardo që do e të largohet nga shtëpia e tij e të shkojë te të sajtë, apo ku të dëshirojë.
- Mirë, unë pranoj, por para se të largohem dëshiroj të hamë së bashku darkën e fundit të lamtumirës, - u lut ajo dhe, pasi mori pëlqimin e të shoqit, shtoi sofrën.

Gjatë darkës ajo e dehu të shoqin, pastaj, me kujdes, që të mos e zgjonte, e ngarkoi në qerre dhe së bashku me të u nis për te prindërit e saj.
Rrugës prijësi u zgjua dhe i habitur qeshi:
- Ku po më qon kështu?
E shoqja, si gjithnjë, u përgjigj qetë:
- Si ku? A më urdhërove të largohem nga shtëpia jote dhe më lejove të marr me vete gjithçka që më nevojitet dhe çfarëdo që dua? E pra, unë ty të dua më tepër dhe asgjë tjetër. Prandaj dhe të mora vetëm ty për të prindërit e mi.
Prijësi i habitur me mendjen e mprehtë të gruas u kthye në shtëpi dhe jetoi i lumtur me gruan e tij.

Friday, October 17, 2008

O sa mirë, o sa keq! - me muzikë






Macja ime,
ka që mbrëmë,
me maçokun,
është zënë,

O sa keq,
o sa keq,
turp për macen,
që s'i vjen,


Dhe patokut,
mu në këmbë,
i ka hyrë,
një goxha gjemb,

O sa keq,
o sa keq,
mezi nëna,
po ja heq,





Ujku ka mbetur,
pa dhëmbë,
lopa ja theu,
me këmbë,

O sa mirë,
o sa mirë,
ujku është,
egërsirë.

...
Në këtë version të këngës:

M'u te ferra,
sot një qen,
bishtin lepurit,
ja kishte ngrënë,

O sa keq, ...

Ujku ka mbetur,
pa dhëmbë,
ja theu kau,
me këmbë,

O sa mirë ...
...

Thursday, October 16, 2008

Macja le të lahet - me muzikë




Mjau-mjau-mjau,
Një macok fytyrën lau,
Gjyshja ime sa e pa,
Do të bjerë shi na tha.

Por Petriti vëllai im,
Që di mirë çdo mësim,
I tha gjyshes "po s’pati re,
Jo nuk bie shi mbi dhè".

Gjyshe,
Macja le të lahet,
Prapë do të thahet,
Gjeli të këndoje,
Sa herë të dojë,
Po nuk pati re,
Po nuk vetëtiu,
Po nuk bubulliu,
S’bie shi mbi dhè.

...

Mbrëmja qetë kur u qas,
Nëntë herë ki-ki-ki,
Këndoi gjeli mbi çati,
Gjyshja tha do bjeri shi.

...

Në këtë versionin e ri të këngës kjo pjesa kur këndon gjeli nuk është më :), por prapë është një nga këngët më të preferuara për vajzën time.

Wednesday, October 15, 2008

Hapa-dollapa me muzikë





Hapa-dollapa,
Kush ësht’ fshehur prapa,
Hopa Albana,
Dil se të kapa,

Genci, Ermira,
Ja Beni, Zamira,
Te gjith’ i gjeta,
Mungon Ciljeta,

Genci, Ermira,
Ja Beni, Zamira,
Ja dhe Ciljeta,
Te gjith’ i gjeta.

Friday, October 10, 2008

Bashkë me një zog...



Mbi degën e mollës,
më erdhi një zog,
-Ciu-ciu-ciu,-
më tha:- Të kam shok.

Abetaren zogu
në dorë ma pa:
-Mësomë edhe mua
të lexoj!-më tha.

Edhe ia filluam,
që të dy me zë:
Ai:-ciu-ciu!
Unë:- A, b, c!